Vetëm 90 minuta e ndajnë Kosovën nga një kapitull i artë në historinë e saj sportive: kualifikimi në Kupën e Botës.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, që pritet të jetë i tejmbushur, “Dardanët” përballen sonte me Turqinë në një sfidë që ka mobilizuar gjithë shqiptarët.
Sipas redaktorit të sportit të gazeta “Blitz Sport”, Lorik Jashanica, kjo është “ndeshja më e rëndësishme në historinë e Kosovës”.
Në lidhje “Skype” në “Edicionin e Mesditës” në Syri TV me Arnold Kariqin, gazetari Jashanica tha: “Atmosfera në Prishtinë është elektrizuese: rrugët dhe sheshet janë mbushur me tifozë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, me rreth 400 mijë kërkesa për bileta, ndërsa për ata që mbeten jashtë stadiumit janë vendosur ekrane gjigante, duke e kthyer qytetin në një arenë të hapur.
Në aspektin psikologjik, pesha duket se rëndon më shumë mbi turqit. Kombëtarja e Turqia nuk ka marrë pjesë në një Botëror prej 24 vitesh dhe kjo e bën përballjen një sfidë “jetë a vdekje”. Ndërkohë, Kosova hyn në këtë ndeshje më e bashkuar se kurrë dhe pa presionin e historisë, duke pasur gjithçka për të fituar.
Për më tepër, kjo ndeshje shkon përtej futbollit. Kryeministri Albin Kurti ka premtuar një bonus prej 1 milion eurosh për kualifikimin, ndërsa nga ana tjetër lojtarëve turq u është premtuar shpërblim i jashtëzakonshëm në rast fitoreje. Megjithatë, për futbollistët e Kosovës motivi kryesor mbetet krenaria dhe përfaqësimi.
Sonte, gjithçka vendoset në 90 minuta – dhe historia pret të shkruhet”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: