Nga Alfred Lleshi
Ernest Muçi dhe kombëtarja shqiptare duket sikur janë futur në një marrëdhënie që i ngjan më shumë një “telenovele” sesa raporti normal futbollistik. Episodi i fundit? Një “dëmtim” në stërvitje që e detyron të largohet nga grumbullimi para ndeshjes pa asnjë vlerë me Ukrainën. Dhe menjëherë lind pyetja, që në Shqipëri bëhet gjithmonë me gjysmë zëri e gjysmë ironie: u dëmtua vërtet, apo u sajua “dëmtimi”?
Sepse, nëse kthehemi pak pas, gjithçka duket si një skenar i njohur. Muçi erdhi me shumë pritshmëri, pothuaj si një shpëtimtar teknik për sulmin kuqezi, kur Manaj dhe Daku mungonin prej dëmtimeve, ndërsa Broja është pa minutazh loje në Premier League, por minutat që mori në fushë ndaj Polonisë ishin aq të pakta sa më shumë “ta dëmtonin” moralisht sesa fizikisht. Dhe papritur, pas një aktivizimi minimal, vjen lajmi i dëmtimit!!! Rastësi? Ndoshta, por në futbollin shqiptar, rastësitë shpesh duken shumë… të organizuara.
Ky nuk është rasti i parë. Lista e lojtarëve që janë “dëmtuar” në momentet më të çuditshme me kombëtaren është më e gjatë sesa mendohet. Është një fenomen që nuk shpjegohet vetëm me aspektin fizik. Ka diçka më shumë; komunikim i dobët, mosbesim, ndoshta edhe një përplasje e heshtur mes pritshmërive të lojtarëve dhe mënyrës si menaxhohen nga stafi teknik kuqezi.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujton fjalët e Klodian Duros në një emision televiziv, që tingëllojnë si profeci moderne e futbollit shqiptar: “Federata e nxjerr të dëmtuar Muçin, por do ta shikojmë të shtunën në kampionatin turk duke shënuar gol…” Dhe ja ku lind dyshimi i madh: a është ky një problem fizik, apo një kapitull i ri në një histori të gjatë keqkuptimesh?
Në fund, ajo që mbetet është një ndjesi “déjà vu”. Një lojtar i talentuar që nuk arrin të gjejë vendin e tij në kombëtare, një “dëmtim” që nuk bind dhe publiku që gjithmonë dyshon. Sepse ndoshta problemi nuk është vetëm te Muçi. Ndoshta problemi është se kjo histori po përsëritet shumë shpesh për të qenë thjesht rastësi.
Ka edhe një këndvështrim tjetër, më i thellë dhe ndoshta më “i pakëndshëm” për t’u pranuar. Po sikur Ernest Muçi ta ketë lexuar shumë mirë situatën? Po sikur ai ta ketë kuptuar se do të aktivizohej pikërisht në ndeshjen më të pavlerë, ndaj Ukrainës, një përballje pa peshë reale, pa presion dhe mbi të gjitha pa motivim të vërtetë?
Në një skenar të tillë, Muçi do të hynte në fushë thjesht për statistikë. Një ndeshje “sa për të kaluar radhën”, ku çdo paraqitje e tij, e mirë apo e dobët, do të relativizohej. Dhe pastaj, narrativa e kuptueshme e Sylvinho: “Ja, e aktivizova, çfarë bëri?” Një alibi perfekte për trajnerin, një kurth klasik për lojtarin.
Dhe këtu lind dyshimi; mos vallë Muçi vendosi të mos bëhej pjesë e këtij skenari? Mos vallë “ia dogji” këtë kartë trajnerit, duke mos pranuar të luajë në një ndeshje ku gjithçka ishte tashmë e paracaktuar në perceptim?
Sepse ‘telenovela’ Kombëtarja-Muçi, në fund të fundit shkon përtej një dëmtimi. Është historia e një futbollisti që kërkon minuta reale, rol të qartë dhe besim të sinqertë, jo thjesht aktivizime për të mbushur formularin e një ndeshjeje për “rezervat”.
Ndoshta ky është problemi më i madh i këtij cikli kuqezi; më shumë llogari prapaskenash sesa meritokraci e pastër në fushë. Sepse kur një lojtar mendon më shumë për mënyrën si do të përdoret sesa për kundërshtarin që ka përballë, atëherë diçka nuk funksionon siç duhet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: