Kombëtarja e Italisë ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Coverciano përpara përballjes vendimtare ndaj Bosnjë Hercegovinës, në finalen e “play-off”-it që do të përcaktojë një vend në Kupa e Botës 2026. Sfida do të luhet në Zenicë, ndërsa atmosfera në kampin “axurr” është e fokusuar maksimalisht te objektivi i kualifikimit.
Trajneri Gennaro Gattuso duket se ka bërë zgjedhjen e tij për repartin ofensiv: Moise Kean dhe Mateo Retegui pritet të nisin si titullarë në skemën 3-5-2. Gjatë stërvitjes së fundit, tekniku italian testoi disa alternativa, por aktivizimi i dy sulmuesve së bashku ishte një sinjal i qartë për formacionin që do të zbresë në fushë. Si opsion nga stoli mbetet Francesco Pio Esposito, i gatshëm të japë kontribut në pjesën e dytë.
Ndërkohë, situata e Gianluca Scamacca-s mbetet për t’u monitoruar. Sulmuesi u bashkua me grupin, por zhvilloi një pjesë të stërvitjes i diferencuar, çka e vë në dyshim aktivizimin e tij nga minuta e parë.
Formacioni i mundshëm i Italisë pritet të jetë: Donnarumma; Mancini, Bastoni, Calafiori; Politano, Barella, Locatelli, Tonali, Dimarco; Kean, Retegui.
Për shkak të kushteve atmosferike në Bosnjë Hercegovinë, programi i udhëtimit është ndryshuar sipas rekomandimeve të UEFA-s. Ekipi do të niset me avion çarter nga Firence drejt Sarajevës në orët e pasdites.
Në tribunë, për të mbështetur skuadrën, do të jenë edhe presidenti i Federatës Gabriele Gravina si dhe legjenda e portës italiane Gianluigi Buffon, të cilët kanë ndjekur nga afër përgatitjet e ekipit gjatë gjithë këtyre ditëve.
Italia është vetëm një hap larg Botërorit dhe gjithçka do të vendoset në një mbrëmje që premton tension dhe emocione të mëdha.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: