Tottenhami ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me trajnerin Igor Tudor, duke konfirmuar largimin e tij me efekt të menjëhershëm dhe me marrëveshje të përbashkët mes palëve.
Vendimi vjen pas javësh reflektimi mbi të ardhmen e pankinës, pavarësisht se Tudor ishte emëruar si zgjidhje e përkohshme deri në fund të sezonit. Rezultatet në fushë nuk kanë qenë aspak në nivelin e pritshmërive të drejtuesve të klubit londinez. Eliminimi i rëndë nga Liga e Kampionëve dhe pozicioni shumë i dobët në kampionat, vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim.
Në njoftimin zyrtar, klubi konfirmoi gjithashtu largimin e pjesëtarëve të stafit teknik, Tomislav Rogic dhe Riccardo Ragnacci, të cilët mbanin rolet e trajnerit të portierëve dhe përgatitësit atletik.
“Konfirmojmë se është rënë dakord me marrëveshje të përbashkët që Igor Tudor të largohet nga klubi me efekt të menjëhershëm. E falënderojmë atë dhe stafin e tij për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë këtyre javëve,” thuhet në deklaratën e Tottenhamit.
Klubi anglez shprehu gjithashtu mbështetjen për trajnerin kroat për një humbje personale që ai ka përjetuar së fundmi, duke i qëndruar pranë në këtë moment të vështirë.
Tottenhami pritet të njoftojë së shpejti emrin e trajnerit të ri, ndërsa sezoni hyn në fazën më delikate dhe skuadra lufton për të shmangur rënien nga kategoria.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: