Triumfi i Andrea Kimi Antonellit në Çmimin e Madh të Japonisë ka hyrë menjëherë në histori, duke sjellë një seri rekordesh që rikthejnë Italinë në majat e automobilizmit botëror. Piloti i ri italian siguroi fitoren e tij të dytë në karrierë, duke lënë pas rivalë të fortë si Oscar Piastri dhe Charles Leclerc, por mbi të gjitha shokun e skuadrës, George Russell, në garën e brendshme te Mercedes-AMG Petronas.
Ky sukses i madh reflektohet edhe në renditjen e përgjithshme, ku Antonelli tashmë është lider i kampionatit botëror. Në moshën vetëm 19 vjeç, 7 muaj e 4 ditë, ai bëhet piloti më i ri në historinë e Formulës 1 që kryeson klasifikimin, duke thyer rekordin e Lewis Hamilton-it, i cili në vitin 2007 ishte bërë lider në moshën 22 vjeç e 126 ditë.
Suksesi i Antonellit ka edhe një domethënie të madhe për Italinë. Ai është piloti i parë italian që merr kreun e botërorit që nga Giancarlo Fisichella në vitin 2005. Ndërsa për të gjetur një italian që ka qëndruar në krye pas disa garash radhazi, duhet të kthehemi deri në vitin 1985, me Michele Alboreto-n.
Forma e tij fantastike konfirmohet edhe nga dy fitore radhazi, pas triumfit në Kinë dhe tani në Japoni. Një arritje e rrallë për një debutues, që nuk ndodhte që nga viti 2019 me Charles Leclerc. Për më tepër, Antonelli bëhet italiani i parë që fiton dy gara radhazi që nga koha e legjendarit Alberto Ascari në vitin 1953.
Një tjetër tabu e thyer është edhe pista e Suzukës: Antonelli është italiani i parë që fiton në këtë pistë që nga viti 1992, kur triumfonte Riccardo Patrese.
Me këto arritje, ylli i ri italian po shkruan një kapitull të ri në historinë e Formulës 1, duke rikthyer Italinë në elitën e këtij sporti pas më shumë se dy dekadash.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: