Santiago Gimenez rrëfen periudhën e errët që kaloi dhe motivimin për rikthimin te Milani

Santiago Gimenez rrëfen periudhën e errët që kaloi dhe motivimin për rikthimin te Milani

18:49, 28/03/2026

Sulmuesi i Milanit, Santiago Giménez, ka rrëfyer periudhën e vështirë që e mbajti për muaj jashtë fushave, duke zbuluar detaje të forta mbi dëmtimin dhe betejën mendore që kaloi.

Në një intervistë për TUDN, sulmuesi meksikan tregoi se gjithçka nisi para Gold Cup, por në fillim nuk i dha rëndësinë e duhur: “Shqetësimi më shoqëronte që para Gold Cup-it. Si lojtar mendon se nuk është asgjë, por pas çdo ndeshjeje dhimbja shtohej gjithnjë e më shumë. Erdhi një moment kur u bë shumë e fortë”.

Giménez pranoi se, pavarësisht dhimbjes, vendosi të vazhdonte të luante, pasi ishte titullar te Milani dhe presioni ishte i madh:

“Isha titullar te Milani dhe pritshmëritë ishin të larta. Fillon të pyesësh veten nëse duhet të ndalesh apo të vazhdosh”.

Pika e kthesës erdhi në sfidën ndaj Atalantës, ku situata doli jashtë kontrollit: “Mora një dozë të dyfishtë ilaçesh për të luajtur, por arrita në një pikë ku nuk mund të vrapoja më nga dhimbja. Aty vendosa të ndalem”.

Pas ekzaminimeve, zgjidhja ishte e qartë – operacioni:

“Me Botërorin që po afrohej, vlerësova çdo mundësi, por së bashku me familjen zgjodhëm ndërhyrjen kirurgjikale. Ishte vendimi më i mirë”.

Tashmë, sulmuesi sheh përpara dhe synon të jetë protagonist si me Milanin, ashtu edhe me Meksikën: “Lojtarët që janë dëmtuar kanë edhe më shumë dëshirë të rikthehen dhe do të kthehen më të fortë”.

Pas një periudhe të errët, Giménez duket gati të rikthehet në versionin e tij më të mirë dhe të udhëheqë Milanin në objektiva të mëdha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco