Jan Urban e pranon: Ishim me fat ndaj Shqipërisë, rasti për 0-2 mund të ndryshonte gjithçka

Jan Urban e pranon: Ishim me fat ndaj Shqipërisë, rasti për 0-2 mund të ndryshonte gjithçka

09:41, 27/03/2026

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka analizuar me sinqeritet fitoren ndaj Shqipërisë, duke theksuar se skuadra e tij u shpëtoi disa momenteve të rrezikshme dhe pati edhe fat në këtë përballje.

Pas ndeshjes, tekniku polak u ndal te fillimi i takimit, ku sipas tij Polonia kishte kontroll të plotë, por më pas gabimet e veta rikthyen Shqipërinë në lojë.

“Në 10-15 minutat e para, Shqipëria nuk arrinte të dilte nga gjysmëfusha e saj dhe dukej sikur goli ynë ishte vetëm çështje kohe. Por në një farë mënyre, ne i dhamë mundësinë kundërshtarit të rritej, të mbante më shumë topin dhe të fitonte besim”, u shpreh Urban.

Ai pranoi se skuadra e tij bëri shumë gabime të thjeshta, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes.

“Do të doja të dija pse ndodhën kaq shumë gabime, sepse ishin elementare, madje edhe te goli i pësuar. Ndoshta ishte presioni, përgjegjësia apo fakti që gjërat nuk po shkonin siç donim. Kjo sjell shpesh nervozizëm dhe vendime të gabuara në fushë”, theksoi ai.

Urban vuri në dukje se dëshira e madhe për të fituar e çoi skuadrën e tij të rrezikonte më shumë seç duhej, duke i hapur hapësira Shqipërisë për kundërsulme.

“Ndoshta sulmuam me shumë lojtarë dhe harruam se kundërshtari mund të na godiste në kundërsulm. Nuk kam asnjë dyshim që në disa momente ishim me fat”, pranoi trajneri.

Një nga episodet kyçe të ndeshjes ishte rasti i Shqipërisë për të shkuar në 0-2, të cilin Urban e cilësoi vendimtar.

“E dija që ishte një moment shumë i rëndësishëm, si për ne ashtu edhe për ata. Megjithatë, nuk mendoj se ndeshja do të kishte përfunduar aty edhe nëse ata do të shënonin”, shtoi ai.

Në fund, trajneri polak u ndal edhe te menaxhimi i presionit, duke theksuar se skuadra reagoi mirë në pushimin mes pjesëve.

“Dhoma e zhveshjes ishte e qetë. Këto janë momente ku emocionet nuk duhet të të kontrollojnë. Mendoj se e përballuam mirë stresin”, përfundoi Urban.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco