Milani po përballet me probleme në sulm në vitin 2026, teksa Rafael Leao nuk është grumbulluar për ndeshjen ndaj Torinos për shkak të një shqetësimi në adduktorin e djathtë. Sipas trajnerit Massimiliano Allegri, përballja e së shtunës do të shënojë rikthimin titullar të Niclas Fullkrug, i ardhur në merkato në janar dhe që deri tani ka luajtur titullar vetëm një herë ndaj Fiorentinës. Ai do të luajë së bashku me Christian Pulisic-in, si në përballjen e mëparshme në ‘Franchi’.
Situata e sulmit është shqetësuese: nga fillimi i vitit, sulmuesit e Milanit kanë shënuar vetëm 7 gola. Pulisic ka pasur një periudhë jo të mirë dhe nuk është aktivizuar siç pritej, ndërsa edhe statistikat e Leao-s dhe Nkunku-së nuk janë të kënaqshme (Leao 4 gola, Nkunku 2, Fullkrug 1). Mungesa e Leao-s detyron Allegrin të ndryshojë lojtarët, por jo sistemin, i cili do të mbetet 3-5-2, ndërsa varianti 4-3-3 mbetet një opsion vetëm gjatë ndeshjes në rast nevoje.
Fullkrug ka një provë të rëndësishme, pasi Torino ka përmirësuar performancën nën drejtimin e D’Aversa-s dhe kërkon të rikthehet në garën për vendet e mesit të tabelës. Mbrojtja e Milanit është më e mira në Serinë A, por sulmi vazhdon të ketë probleme: 44 gola në 29 ndeshje, dhe vetëm Roma nga skuadrat e para gjashtë ka bërë më pak gola. Në 12 ndeshjet e fundit, ‘Djalli’ ka shënuar vetëm 14 gola, 3 në 4 ndeshjet e fundit (Parma, Cremonese, Inter, Lazio), duke e larguar nga kryesimi.
Sa i përket formacionit tjetër, në krahun e majtë do të startojë Davide Bartesaghi në vend të Pervis Estupinan, ndërsa në mesfushë rikthehet Adrien Rabiot pas pezullimit. Për të plotësuar mesfushën me Rabiot dhe Modric, Allegri po bën balotazh mes Ricci-t dhe Fofana-së.
Kjo ndeshje do të jetë një test i rëndësishëm për sulmin e Milanit, i cili kërkon të përmirësojë numrat e fazës sulmuese dhe të qëndrojë pranë vendit të parë në Serinë A.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: