Ish-kapiteni i Partizani, Eneo Bitri, është zyrtarisht lojtar i Egnatias. Klubi rrogozhinas ka bërë të ditur afrimin e mbrojtësit 29-vjeçar, duke e prezantuar si përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri në Superiore. Bitri rikthehet kështu në elitën e futbollit shqiptar pas eksperiencës së tij në Hungari me ekipin Nyíregyháza Spartacus FC.
Për shërbimet e tij ishte i interesuar edhe Partizani, por në fund lojtari ka zgjedhur projektin e kampionëve në fuqi, duke i dhënë përparësi Egnatias.
Menjëherë pas firmës, Bitri është bashkuar me skuadrën, e cila ka udhëtuar drejt Bullgarisë për fazën përgatitore verore, ku do të përgatitet për sfidat e sezonit të ri.
Në njoftimin zyrtar, klubi i ka uruar mirëseardhjen mbrojtësit duke theksuar eksperiencën dhe cilësitë e tij, që pritet të forcojnë prapavijën dhe të ndihmojnë skuadrën në arritjen e objektivave ambiciozë.
Me këtë transferim, Egnatia synon të ruajë konkurrueshmërinë në kampionat dhe të vazhdojë të jetë një nga ekipet kryesore në futbollin shqiptar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: