Mediet holandeze kanë shpërthyer në kritika ndaj trajnerit të Holandës, Ronald Koeman, pas barazimit 2-2 ndaj Japonisë në ndeshjen e parë të Botërorit 2026. Në qendër të polemikave janë vendosur zëvendësimet ultra-mbrojtëse të teknikut, të cilat sipas shumë analistëve u kushtuan “Tulipanëve” fitoren.
Gazeta holandeze Telegraaf ishte veçanërisht e ashpër, duke shkruar se “ndryshimet drastike të Ronald Koemanit sollën dështimin e kombëtares”. Kur Holanda kryesonte 2-1, trajneri largoi nga fusha dy nga lojtarët më të rrezikshëm, Donyell Malen dhe Crysencio Summerville, ndërsa më pas kaloi në një mbrojtje me pesë lojtarë duke aktivizuar Nathan Aké në vend të Ryan Gravenberch.
Pas ndeshjes, Koemani mbrojti zgjedhjet e tij. “Nëse sulmojmë më shumë, hapim edhe më shumë hapësira. Japonia është një skuadër e fortë dhe nuk duhet nënvlerësuar. Në minutat e fundit nuk mund të ushtronim më presion në krahë dhe për këtë arsye futëm Aké-n”, deklaroi ai.
Megjithatë, kritikat nuk u ndalën. Mediet holandeze vlerësuan se skuadra luajti me shumë frikë dhe stres, duke u përqendruar vetëm te mbrojtja e rezultatit. Sipas tyre, ritmi i lojës ishte tepër i ngadaltë dhe mungoi iniciativa për të mbyllur ndeshjen.
Gazetari i njohur, Valentijn Driessen, ishte ndër më kritikët. Ai theksoi se Koemani dhe liderët e ekipit, si Virgil van Dijk dhe Frenkie de Jong, duhej të kishin marrë vendime më të mira. Sipas tij, Holanda gaboi duke menduar vetëm për ruajtjen e avantazhit në vend që të kërkonte golin e tretë.
Edhe portieri Bart Verbruggen është vënë në shënjestër pas golit të barazimit të Japonisë në minutat e fundit. Vetë gardiani pranoi zhgënjimin: “Preka topin me majat e gishtave, por nuk mjaftoi. Është vërtet për të ardhur keq”.
Në mbrojtje të trajnerit doli sulmuesi Cody Gakpo, i cili deklaroi se vendimet e Koemanit dukeshin logjike në momentin kur Holanda po fitonte 2-1. “Është e lehtë të gjykosh pas ndeshjes. Në atë moment, ndoshta ishte zgjedhja e duhur. Në fund, nuk humbëm pikët për shkak të sistemit, por sepse pësuam gol nga një situatë standarde”, tha ai.
Barazimi ndaj Japonisë ka lënë shije të hidhur në kampin holandez, ndërsa presioni mbi Koemanin është rritur ndjeshëm përpara sfidave të ardhshme të Botërorit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: