Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli në konferencën për shtyp në prag të përballjes së nesërme ndaj Teutës, një ndeshje e rëndësishme për vendin e katërt në tabelë.
Kërnaja theksoi se fokusin e ka vetëm te performanca e ekipit të tij: “Gjithmonë e kam theksuar që shikojmë vetëm ndeshjet tona, nuk na intereson fare çfarë bëjnë të tjerët. Nëse marrim ndeshjet tona, pikët do të vijnë. Edhe Teuta vjen në një moment shumë të mirë, pasi ka fituar ndaj Bylis, Tiranës dhe Dinamo City jashtë fushe. Do të jetë një ndeshje e fortë mes rivalëve që luftojnë për vendin e katërt. Nuk dua të mendoj për ndeshjet direkte, sepse janë shumë pikë në lojë. Janë edhe 7 ndeshje pas Teutës, 21 pikë në lojë, dhe nuk duam të rrezikojmë. Do të hyjmë për të fituar 3 pikët dhe pjesën tjetër do t’ia lëmë fushës.”
Për mungesën e tij në stol për shkak të skualifikimit, Kërnaja u shpreh: “Te Partizani nuk është një individ i vetëm, as te lojtarët dhe as te stafi. Jam shumë i kënaqur me punën e Orit, Kushtrimit dhe Ralfit. Kam besim të plotë tek ata që mungesa ime nuk do të ndihet aspak.”
Sa u përket mungesave në ekip, trajneri deklaroi: “Dihet mungesa e Doumbia-së, i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit. Vazhdojmë të kemi të dëmtuar Prekën, Markun dhe Isgandarlin që ende nuk është shëruar plotësisht. Pjesa tjetër është e gatshme, ekipi ka lojtarë të aftë dhe besoj se, ashtu si nuk janë ndier deri tani, nuk do të ndihen as në ditët në vazhdim.”
Kërnaja synon një fitore ndaj Teutës dhe konfirmon se Partizani do të luftojë deri në fund për vendin e katërt në klasifikim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: