Arda Güler ka shkëlqyer me një gol spektakolar nga gati 70 metra në fundjavën e fundit, duke krijuar entuziazëm të madh në Turqi dhe shqetësim në Rumaninë, që do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e play-off-it për Botërorin 2026.
Shtypi rumun nuk i kurseu elozhet. ‘Golazo’ shkruante: “Rumania dridhet”, duke vlerësuar golin fantastik të ‘yllit’ turk Arda Güler nga 68 metra. Gazeta ‘Prosport’ e krahasoi Güler-in me legjendën Gheorghe Hagi, duke kujtuar golin legjendar të vitit 1992 që gjithashtu ishte shënuar me fanellën e bardhë. Sipas mediave rumune, trajneri Mircea Lucescu mund të shqetësohet për nivelin e lartë të lojtarëve turq, të cilët po shfaqin formë fantastike në klubet e tyre.
Në Turqi, goli i Güler ka shkaktuar një entuziazëm të vërtetë kombëtar. Në rrjetet sociale, shumë tifozë e quajnë tashmë “legjendë e Real Madridit”. Ky gol i tij hyn në një listë të vogël të golave të shënuar nga distanca të ngjashme në LaLiga. Para Güler, Real Madrid kishte realizuar vetëm katër gola nga gjysma e fushës së vet; goli i Arda-s është i pesti dhe i pari në LaLiga që nga viti 1995, kur Mikel Lasa shënoi nga 58 metra kundër Sevilla-s.
Edhe trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, e ka vlerësuar lart: “Goli i Arda Güler duhet të bëhet poster”, një frazë që u bë shpejt virale mes tifozëve turq. Me këtë mrekulli, Güler jo vetëm konfirmon talentin e tij, por edhe kandidon të jetë një nga protagonistët kryesorë të përfaqësueses turke për Botërorin 2026.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: