Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 16-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Kërnaja: Qaka është gati për Vorën, Partizani hyn në fushë për tri pikët

Kërnaja: Qaka është gati për Vorën, Partizani hyn në fushë për tri pikët

22:33, 14/03/2026

Trajneri i Partizani Tirana, Oltijon Kërnaja, ka folur në konferencë për shtypin në prag të ndeshjes së radhës ndaj Vorës, duke theksuar se skuadra e tij do të hyjë në fushë vetëm me një objektiv: fitimin e tri pikëve.

Tekniku i të kuqve nuk e konsideron Partizanin favorit absolut, pavarësisht rezultateve dhe paraqitjeve në përballjet e mëparshme me Vorën.

“Besoj që nuk ka favoritë për këtë ndeshje. Vijnë dy ekipe në situata të ndryshme nga ajo e fazës së tretë. Në tri ndeshjet me Vorën kemi dominuar si skuadër, pavarësisht rezultatit. Në fazën e dytë përfunduam 0-0 në ‘Arenën e Demave’, ku patëm shumë raste. Ndërsa në fazën e tretë humbëm 0-1 pas një penalltie të humbur dhe disa rasteve të tjera. Por në futboll nuk mbahen mend rastet apo loja e mirë, mbahen mend vetëm rezultatet”, u shpreh Kërnaja.

Trajneri i Partizanit theksoi se skuadra e tij do të luftojë për fitore, ashtu si në çdo ndeshje tjetër të sezonit.

“Ne kemi hyrë në çdo ndeshje për tri pikë dhe edhe nesër do të hyjmë për tri pikët. Pjesën tjetër do t’ia lëmë fushës. Besoj se djemtë janë të karikuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin”, deklaroi ai.

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Kërnaja u shpreh optimist, duke nënvizuar se grupi është në formë të mirë fizike dhe me shumë alternativa.

“Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Kemi një numër të madh lojtarësh në dispozicion. Në ndeshjen me Dinamon patëm mundësi të aktivizonim lojtarë të ndryshëm nga ata që luajtën në kupë me Elbasanin. Sa i përket Qakës, ai mori një goditje në gju dhe nuk donim ta rrezikonim, por tani është stërvitur me ekipin dhe është gati për ndeshjen”, tha trajneri.

I pyetur për objektivin e titullit, Kërnaja theksoi se skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen e radhës dhe për rezultatet e saj.

“Ne duhet të shohim vetëm ndeshjet tona. Nëse i fitojmë një nga një, pikët janë aty dhe renditja gjithashtu. Nuk varemi nga askush tjetër, por vetëm nga këmbët tona”, theksoi ai.

Në fund, trajneri komentoi edhe praninë në stërvitje të Jasir Asanit, duke e cilësuar atë gjithmonë pjesë të familjes së Partizanit.

“Asani është në shtëpinë e vet. Ai ka dhënë shumë për Partizanin dhe ka fituar trofe me këtë ekip. Ne po e ndihmojmë që të mbajë formën fizike për të qenë sa më i gatshëm për ndeshjen me Poloninë”, përfundoi Kërnaja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco