Elbasani arriti një fitore të rëndësishme 2-1 në fushën e Flamurtarit në Vlorë, në një ndeshje të mbushur me tension dhe episode të diskutueshme që kërkuan ndërhyrjen e VAR-it.
Ndeshja nisi në ritëm të lartë, me Elbasanin që krijoi rrezik të hershëm. Në minutën e 5’, nga një goditje këndi, Lajthia me kokë dërgoi topin në rrjetën vendase, duke i dhënë avantazhin 1-0 mysafirëve. Flamurtari reagoi shpejt dhe përballë portës së Janaçek, Musta u tregua vendimtar në një ndërhyrje spektakolare pas një këndi të rivalëve.
Pjesa e dytë solli tension të shtuar. Në minutën e 49’, Flamurtari pretendoi për prekje topi me dorë nga Ze Gomesh gjatë një goditjeje dënimi, por gjyqtari Xhaja vazhdoi lojën. Pas disa minutash dhe rishikimi në VAR, akordohet penallti për vendasit. Marku ekzekutoi penalltinë në minutën e 54’, por Janaçek arriti ta ndalonte, ndërsa Xhaja vendosi ta rikthente gjuajtjen për hyrjen e Lajthisë në zonë. Edhe në goditjen e dytë, Marku nuk arriti ta mposhtte portierin e Elbasanit.
Në minutën e 65’, Ramani shfrytëzoi hapësirën nga krahu i majtë dhe me një goditje të fuqishme me të djathtën barazoi shifrat 1-1.
Përgjigjja e Elbasanit erdhi menjëherë. Në minutën e 63’, pas një goditje dënimi, Kasa gjuan me kokë, por Aleksovski nuk ndal topin si duhet, duke i mundësuar Lajthisë të shënojë golin e dytë për mysafirët.
Në minutën e 69’, portieri Janaçek dëmtohet rëndë në dorë dhe detyrohet t’ia lërë vendin Totoshit dhe të marrë ndihmë direkt në spital. Takimi nuk mund të rifillonte pa u kthyer ambulanca, kështu që gjithçka nisi pas 13 minutash.
Ndeshja pati edhe incidente në tribuna, ku u ndërpre për disa minuta pas gjuajtjeve me sende drejt Mustës. Megjithatë, skuadrat rifilluan lojën dhe Elbasani mbajti avantazhin deri në fund, duke siguruar tri pikët e arta dhe duke i dhënë një goditje psikologjike Flamurtarit.
Verdheblutë me këtë sukses barazohen me pikë me Vllazninë kryesuese, ndërsa kuqezinjtë rreshqasin në vendin e fundit me pikë barabarta me Tiranën.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: