Orges Shehi komentoi suksesin e Tiranës ndaj Bylisit në javën e 28-të të “Abissnet Superiores”, duke theksuar rëndësinë psikologjike të këtij triumfi.
“Pa diskutim që është fitore e rëndësishme, sidomos në anën psikologjike. Ana tekniko-taktike kalon në plan të dytë. Kishim ndeshje që nuk fitonim, shpresoj që të na rikthejë pak qetësinë dhe optimizmin. Kur humbet ndeshje radhazi, gjithçka të duket e zezë”, tha Shehi.
Trajneri përmendi performancën e lojtarëve kryesorë:
“Është e vërtetë që Ndong na rregulloi në fushë. Xhixha nuk ishte në gjendje fizike optimale, por me shpirt sakrifice luajti 90 minuta. Tabekou meriton komplimente, sakrifikoi shumë pavarësisht mungesës së stërvitjes për katër ditë. Në sulm kemi Taren dhe Mehmetin; Mehmeti është më luftarak, Tare më shumë lojtar zone. Haxhiun e kemi përdorur në shumë pozicione”.
Shehi foli edhe për aspektin taktiko-mbrojtës: “Ndeshja ishte 1-0, mbrojtësit nuk koordinoheshin, shumë raste 1 kundër 1 për mesfushorët. Futëm Cortes dhe Alvarez për të ndihmuar, duke ruajtur rezultatin dhe qetësinë në fund të ndeshjes”.
Në përfundim, Shehi nënvizoi rëndësinë e fitores për moralin e ekipit: “Nuk duhej humbur kjo ndeshje. Sa ka ndikuar? Kjo fitore vlen më shumë se 3 pikët, vlen edhe për psikologjinë e ekipit dhe për vetëbesimin e lojtarëve”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: