Trajneri i kombëtares së Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka lënë të kuptohet se anësori 30-vjeçar, Leroy Sané, mund të ketë një rol të rëndësishëm në planet e tij për FIFA World Cup 2026. Futbollisti, i cili aktualisht aktivizohet te Galatasaray, vazhdon të mbetet në vëmendjen e stafit teknik të “Pancerave”.
Në një prononcim për revistën Kicker, Nagelsmann shpjegoi arsyet pse e konsideron të rëndësishëm profilin e Sané-së. “Nuk kemi shumë lojtarë me karakteristikat e tij, veçanërisht lojtarë që mund të depërtojnë kaq shpesh dhe me rrezik nga krahu i djathtë,” u shpreh tekniku gjerman.
Ai shtoi se gjendja fizike e futbollistit do të jetë një faktor vendimtar për rolin e tij në ekip: “Nëse është mirë nga ana fizike, ai mund të bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe në të kaluarën Leroy ka zhvilluar ndeshje të shkëlqyera me kombëtaren.”
Sané po kalon një sezon pozitiv në Turqi, ku me fanellën e Galatasaray-t ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 8 asistime në 34 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Nagelsmann theksoi gjithashtu paraqitjet e fundit të lojtarit me kombëtaren, duke kujtuar se në ndeshjet ndërkombëtare kundër Luxembourgut dhe Sllovakisë ai kontribuoi me një gol dhe dy asistime. “Nuk mund të dish kurrë me siguri absolute se çfarë do të sjellë një lojtar në të ardhmen, por Sané ka treguar cilësi të mëdha dhe paraqitje shumë të mira në ndeshjet e fundit,” përfundoi trajneri i Gjermanisë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: