Pak më shumë se 100 ditë para Botërorit FIFA 2026, tensionet rreth pjesëmarrjes së Iranit në turne kanë rritur tonet. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi mëngjesin e së enjtes që ekipi iranian të mos marrë pjesë “për shkak të sigurisë së tyre personale”.
Menjëherë pas këtij mesazhi, ‘Team Melli’ u përgjigj fuqishëm, duke mbrojtur vendin e tij në turne dhe kualifikimin e arritur me merita sportive. Përmes Instagramit zyrtar, ekipi kombëtar i Iranit deklaroi:
"Botërori është një ngjarje historike dhe ndërkombëtare, dhe organizatori është FIFA, jo një vend i vetëm. Përfaqësuesja iraniane, me autoritet dhe përmes fitoreve të vazhdueshme të bijve të guximshëm të Iranit, ishte një nga ekipet e para që u kualifikuan për këtë turne madhor."
Në paragrafin e dytë mesazhi u bë më i ashpër, duke sugjeruar përjashtimin e SHBA-së nga organizimi:
"Askush nuk mund ta përjashtojë përfaqësuesen iraniane nga Botërori. Përkundrazi, vendi që duhet të përjashtohet është ai që mban vetëm titullin e ‘organizatorit’, por nuk garanton sigurinë e ekipeve pjesëmarrëse në këtë ngjarje globale."
Trump më parë kishte theksuar se Irani është i mirëpritur në Botëror, por shtoi menjëherë: “Nuk mendoj se është e përshtatshme që ata të jenë atje për shkak të jetës dhe sigurisë së tyre”, një mesazh që shkaktoi kontradikta me deklaratën e kryetarit të FIFA-s, Gianni Infantino. Infantino theksoi rëndësinë e Botërorit si ngjarje që bashkon njerëzit, pavarësisht tensioneve politike dhe sulmeve të fundit mbi Teheranin, të cilat shkaktuan më shumë se 1,000 viktima.
Ministri iranian i Sporteve, Ahman Donyamali, më herët kishte deklaruar se situata politike e vendit mund të pengonte pjesëmarrjen e ekipit: “Pas vrasjes së liderit tonë nga qeveria korruptive, nuk ka kushte për të marrë pjesë në Botëror”.
Kalendari i Iranit në Botërorin 2026:
Iran vs Zelandë e Re (15 qershor, “SoFi Stadium”, Los Angeles)
Belgjikë vs Iran (21 qershor, “SoFi Stadium, Los Angeles)
Iran vs Egjipt (26 qershor “Lumen Field”, Seattle)
Situata mbetet e paqartë dhe pjesëmarrja e Iranit në Botëror vazhdon të qëndrojë “në fije të perit”, ndërsa tensionet politike dhe deklaratat e forta të udhëheqësve amerikanë dhe iranianë vijojnë të ndikojnë në vendimmarrje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: