Arda Turan mund të rikthehet te Atletico Madrid, këtë herë jo si lojtar, por si trajner. Emri i tij është përmendur si një nga alternativat për të zëvendësuar Diego Simeonen, i cili mund të largohet në fund të sezonit pas një periudhe të gjatë në krye të skuadrës madrilene.
Aktualisht, Turan drejton Shakhtar Donetsk-un, por aventura e tij në Ukrainë mund të mbyllet pas vetëm një viti, pavarësisht rezultateve shumë pozitive. Shakhtari kryeson kampionatin me tri pikë më shumë se LNZ Cherkasy, pesë pikë para Polissya Zhytomyr dhe nëntë pikë mbi rivalët historikë të Dynamo Kyiv.
Paraqitjet bindëse dhe rezultatet e arritura kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Atleticos, të cilët po mendojnë për të ardhmen pas Simeones, që drejton skuadrën që nga viti 2011.
Turan nuk është një emër i panjohur për tifozët “colchoneros”. Ai luajti për Atleticon nga viti 2011 deri në 2015, pikërisht nën drejtimin e Simeones, duke regjistruar 178 paraqitje dhe 22 gola. Gjatë asaj periudhe fitoi një titull kampion në Spanjë, një Kupë të Mbretit, një Superkupë të Spanjës, një Europa League dhe një Superkupë të Europës.
Rikthimi i tij në Madrid do të ishte një histori e veçantë, këtë herë në një rol krejtësisht të ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: