Tensionet e fundit në Meksikë kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e Botërorit 2026, turneut që do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.
Pas shpërthimit të dhunës në disa rajone të vendit, koordinatori i turizmit i qeverisë gjermane, Christoph Ploß, i ka kërkuar garanci të qarta sigurie FIFA-s.
Në një deklaratë për Handelsblatt, ai theksoi se tifozët nuk duhet të jenë në rrezik dhe se vendet pritëse duhet të zbatojnë me përpikëri rregulloret e sigurisë.
Situata në Meksikë është përshkallëzuar pas raportimeve për vrasjen e trafikantit famëkeq të drogës, Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes, gjatë një operacioni ushtarak.
Si pasojë, qeveria ka dislokuar rreth 10 mijë ushtarë, ndërsa trazira janë raportuar në 20 nga 32 shtetet e vendit. Veçanërisht e prekur është Guadalajara, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës.
Gjermania pritet t’i zhvillojë fillimisht ndeshjet e grupit në SHBA dhe Kanada, por fazat pasuese mund ta çojnë kombëtaren edhe në territorin meksikan.
Ploß nënvizoi se mbrojtja e turistëve gjermanë është prioritet i lartë dhe se situata do të monitorohet vazhdimisht.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë këshilluar tifozët që të informohen rregullisht përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme përpara çdo udhëtimi drejt vendeve pritëse të Botërorit 2026.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: