Shoqata Angleze e Futbollit (FA) ka ngritur padi zyrtare ndaj Chelseat dhe West Ham United, pas incidenteve të rënda të ndodhura në fund të përballjes së Premier League, e cila u mbyll me fitoren 3-2 të Chelseat, të shtunën e kaluar.
Ngjarja kulmoi në minutën e 96-të, kur anësori i West Hamit, Adama Traore, u përplas me mbrojtësin e Chelseat, Marc Cucurella, gjatë një dueli për topin pranë cepit të fushës.
Pas kontaktit, Traore e shtyu Cucurellan në tokë dhe iu drejtua gjyqtarit anësor me protesta të ashpra.
Situata doli jashtë kontrollit kur Joao Pedro, që ndërhyri për të mbrojtur bashkëlojtarin e tij, e shtyu Traoren, duke ndezur një përleshje të përgjithshme mes lojtarëve të të dyja skuadrave. Gjatë kaosit, mbrojtësi i West Hamit, Jean-Clair Todibo, u pa duke e kapur nga qafa një sulmues të Chelseat, pamje që u konsideruan serioze nga arbitrat.
Gjyqtari kryesor Anthony Taylor ndëshkoi fillimisht Traoren dhe Joao Pedron me kartonë të verdhë, por pas rishikimit të pamjeve televizive, vendosi ta përjashtojë Todibon me karton të kuq.
Në deklaratën zyrtare, FA ka akuzuar të dy klubet për “dështim në parandalimin e sjelljes së papranueshme dhe provokuese” nga ana e lojtarëve të tyre, duke hapur kështu rrugën për sanksione të mundshme disiplinore.
Chelsea dhe West Ham kanë afat deri më 6 shkurt për të dorëzuar përgjigjet dhe mbrojtjen e tyre zyrtare përpara FA-së.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: