Sot, duke filluar në orën 11:00, do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të polemikave të forta në ditët e fundit.
Ngjarja nuk do të jetë e hapur për media, por do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së në YouTube dhe Facebook, duke u mundësuar publikut ta ndjekë zhvillimin e saj në kohë reale.
Procesi zgjedhor është shoqëruar me debate, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shprehur shqetësime serioze lidhur me standardet demokratike të kandidimit për postin e presidentit të FFK-së.
Sipas MKRS-së, kërkesa që një kandidat të sigurojë 15 nënshkrime mbështetëse mund të kufizojë konkurrencën dhe të pengojë një garë reale e të barabartë.
Nga ana tjetër, UEFA ka konfirmuar pranimin e letrës së MKRS-së, por ka theksuar se çdo komunikim zyrtar duhet të zhvillohet përmes FFK-së.
Në përgjigjen e saj është përfshirë edhe letra e përbashkët e FIFA-s dhe UEFA-s, e cila konfirmon se statuti i FFK-së është i harmonizuar me rregulloret ndërkombëtare.
Po ashtu, është bërë e qartë se çdo diskutim i mëtejmë mund të zhvillohet vetëm pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor.
Sipas pritshmërive, Agim Ademi, kryetar aktual i FFK-së, pritet të jetë kandidati i vetëm dhe, sipas të gjitha gjasave, do të sigurojë një mandat të ri në krye të futbollit kosovar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: