Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka folur hapur përpara çerekfinales së Kupës së Italisë ndaj Torinos, duke mbështetur zgjedhjen për rotacion në formacion dhe duke pranuar se Milani ka një avantazh në garën për titullin kampion.
Sfida luhet në stadiumin U-Power në Monza, në orën 20.00 GMT (21.00 CET), në fushë neutrale, pasi “San Siro” është në përgatitje për ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.
Ndeshja do të vendoset brenda 90 minutave ose me penallti, ndërsa fituesi do të përballet në gjysmëfinale me Napolin ose Komon.
Në prononcimin e tij për Sport Mediaset, Marotta theksoi se Interi ka detyrimin të synojë maksimumin në çdo kompeticion. “Interi duhet gjithmonë të kërkojë rezultatin maksimal,” u shpreh ai, duke vlerësuar punën e trajnerit Cristian Chivu, i cili “po e menaxhon me mençuri skuadrën” falë një grupi të gjerë dhe cilësor lojtarësh.
Marotta shpjegoi edhe arsyen pse klubi nuk ndërhyri në merkato gjatë janarit, duke theksuar se skuadra nuk kishte nevojë për riparime, pasi puna kryesore ishte bërë gjatë verës, ndërsa u ndal edhe te rëndësia e akademisë së të rinjve.
Sa i përket dëmtimeve, presidenti konfirmoi një shqetësim për Dumfries, por u shfaq optimist për rikthimin e tij.
Në lidhje me “Scudetton”, ai pranoi se fakti që Milani është i fokusuar vetëm në kampionat përbën një avantazh, por theksoi se Interi është mësuar me ngarkesën e madhe të ndeshjeve dhe duhet të luftojë fort, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht, për të mbetur konkurrues në çdo front.
Marotta e pranon avantazhin e Milanit, por garanton se Interi do të luftojë për çdo trofe.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: