Zyrtare/ Anderlehti ndan rrugët me Besnik Hasin pas rezultateve zhgënjyese

Zyrtare/ Anderlehti ndan rrugët me Besnik Hasin pas rezultateve zhgënjyese

22:39, 01/02/2026

Anderlehti ka zyrtarizuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin shqiptar, Besnik Hasi, si pasojë e ecurisë negative të skuadrës në kampionat. Klubi belg ka kaluar një periudhë të vështirë në Superligën e Belgjikës, duke mos arritur të gjejë vazhdimësi në rezultate, çka ka detyruar drejtuesit të marrin një vendim të fortë.

Në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, Anderlehti ka regjistruar tri humbje dhe vetëm dy barazime, një bilanc që ka rënduar ndjeshëm pozitat e skuadrës në renditje dhe ka shtuar presionin mbi stafin teknik. Humbja e fundit ndaj Standard Liezhit rezultoi vendimtare për fatin e Hasit, duke shënuar fundin e aventurës së tij në krye të pankinës.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi konfirmoi largimin e trajnerit shqiptar, duke e falënderuar për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe. “Anderlehti po e mbyll marrëveshjen me kryetrajnerin Besnik Hasi. Klubi dëshiron ta falënderojë për punën dhe dedikimin e tij. Eduard Still do të jetë përkohësisht trajner i skuadrës”, thuhet në komunikatën e publikuar nga klubi belg.

Në këtë sezon, Besnik Hasi drejtoi Anderlehtin në 23 ndeshje zyrtare, ku arriti të regjistrojë 10 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje. Megjithëse bilanci nuk ishte krejtësisht negativ, mungesa e rezultateve pozitive në momentet kyçe dhe rënia e formës në javët e fundit kanë qenë faktorët kryesorë që çuan në këtë vendim.

Tashmë Anderlehti do të kërkojë një kthesë me një drejtim të ri teknik, ndërsa për Besnik Hasin mbyllet një tjetër kapitull në karrierën e tij si trajner në futbollin belg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco