Superkompjuteri i Opta-s ka publikuar parashikimet më të fundit për Ligën e Kampionëve, duke llogaritur jo vetëm favoritët për trofeun, por edhe shanset e secilës skuadër për të kaluar raund pas raundi në fazat eliminatore.
Të dhënat ofrojnë një panoramë të qartë mbi ekipet që po dominojnë këtë edicion dhe ato që rrezikojnë eliminimin.
Sipas Opta-s, Arsenali shfaqet si skuadra më e besueshme në garë.
“Topçinjtë” kanë 100 për qind shanse për të arritur në raundin e 16-tave, 84.6% për çerekfinale, ndërsa probabiliteti për të shkuar në finale është 49%, me mbi 30% shanse për të fituar titullin.
Pas tyre renditet Bayern Munich, gjithashtu me 100% shanse për 16-tëshe dhe 77.7% për çerekfinale, edhe pse gjasat për trofe janë disi më të ulëta.
Liverpooli mbetet shumë konkurrues me 94.5% shanse për raundin e 16-tave dhe 65.6% për çerekfinale, ndërsa Real Madridi regjistron 83.9% dhe 56.7%, shifra të larta, por jo dominuese.
Barcelona pozicionohet në mesin e favoritëve, me rreth 80% shanse për raundin e 16-tave dhe 63.3% për çerekfinale, ndërkohë që Manchester City ka 60% për 16-tëshe dhe 62% për çerekfinale, duke reflektuar besimin e Opta-s në rritjen e tyre në fazat eliminatore.
Në kategorinë e dytë renditen PSG dhe Tottenham, me probabilitete mesatare për avancim, ndërsa Atlético Madrid mbetet në ekuilibër mes kalimit dhe eliminimit.
Ndërkohë, shanset për skuadrat italiane janë më të kufizuara, me Interin, Juventusin dhe Atalantën që mbeten jashtë favoritëve kryesorë.
Sipas parashikimeve, gara pritet të mbetet e hapur deri në ndeshjet e fundit, duke e kthyer çdo sfidë në vendimtare për fatin e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: