Një barazim 1–1 ka shënuar përballjen mes Galatasaray-t dhe Atletico Madridit në Turqi, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parafundit të fazës së ligës së Champions-it. Një rezultat që i mban të dyja skuadrat plotësisht në garë për objektivat e tyre europianë.
Ndeshja nisi furishëm për ‘Los Colchoneros’, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 4-t. Pas një krosimi të saktë nga krahu i majtë i ish-lojtarit të Atalantës, Matteo Ruggeri, ishte Giuliano Simeone ai që me një goditje të fortë me kokë mposhti portierin vendas, duke zhbllokuar takimin.
Reagimi i Galatasaray-t nuk vonoi. Skuadra turke rriti presionin dhe në minutën e 20-të arriti të barazonte rezultatin. Sallai dërgoi topin në zonë, ndërsa devijimi i pafat i Marcos Llorente përfundoi në rrjetë, duke vendosur ekuilibrin 1–1.
Pjesa e parë u mbyll pa gola të tjerë, ndërsa në fraksionin e dytë ritmi i lojës ra ndjeshëm. Atletico provoi të rikthehej në avantazh, fillimisht me Hancko nga goditja e këndit dhe më pas me Griezmann nga një goditje dënimi në minutat e fundit, por pa sukses.
Me këtë barazim, Atletico Madrid ngjitet në kuotën e 13 pikëve, duke mbajtur ende në shënjestër kualifikimin mes tetë skuadrave të para. Galatasaray, nga ana tjetër, shkon në 10 pikë, duke mbetur në garë për një vend në fazën “play-off”.
Në ndeshjen tjetër, Qarabag-u mban gjallë ëndrrën europiane pas fitores dramatike 3–2 ndaj Eintracht Frankfurt-it, duke u ngjitur gjithashtu në kuotën e 10 pikëve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: