Humbja e Manchester City-t në Norvegji ndaj Bodo/Glimt ka tronditur seriozisht ambiciet e kampionëve anglezë në Ligën e Kampionëve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë objektivin për ta mbyllur fazën e grupeve mes tetë skuadrave më të mira.
Një rezultat që ka ndezur alarmin në radhët e klubit dhe ka shtuar presionin mbi skuadrën e Pep Guardiolës.
Forma e City-t është kthyer në shqetësim madhor për drejtuesit dhe tifozët.
Skuadra ka arritur të fitojë vetëm dy nga shtatë ndeshjet e fundit, një bilanc që nuk përputhet aspak me standardet e vendosura në vitet e fundit. Situata bëhet edhe më delikate në prag të sfidës së fundit të grupeve në Champions League, ku anglezët do të përballen me Galatasaray-n, një ndeshje që tashmë merr peshë vendimtare.
Pas humbjes në Norvegji, Pep Guardiola nuk e fshehu zhgënjimin, duke pranuar se skuadra ndodhet larg nivelit të saj optimal.
“Duhet të rikthehemi në nivelet ku ishim në fund të vitit 2025. Mendoj se për momentin gjithçka po na shkon keq. Kam një ndjesi se gjithçka po na shkon keq”, deklaroi trajneri spanjoll, duke reflektuar hapur pasiguritë e momentit.
Edhe më i drejtpërdrejtë ishte Erling Haaland, i cili përdori fjalë të forta për të përshkruar paraqitjen e skuadrës.
“Nuk dua t’i drejtoj gishtin askujt, por secili nga ne ka përgjegjësi për këto paraqitje të turpshme. Nuk kam përgjigje për atë që ndodhi në fushë. Unë jam përgjegjës sepse nuk munda të shënoja. Dua të kërkoj falje, në emër të ekipit, të gjithë tifozëve që udhëtuan deri këtu për të na ndjekur. Ishim të turpshëm”, u shpreh sulmuesi norvegjez.
Me formën në rënie dhe presionin që rritet nga ndeshja në ndeshje, Manchester City ndodhet në një moment kritik të sezonit. Reagimi në përballjen ndaj Galatasaray-t do të jetë vendimtar, jo vetëm për ecurinë në Champions League, por edhe për të rikthyer besimin dhe stabilitetin në një skuadër që duket larg versionit të saj më dominues.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: