Vinicius Junior ka dhënë një mesazh të qartë për të ardhmen e tij, duke riafirmuar besnikërinë ndaj Real Madridit pas paraqitjes brilante në fitoren e thellë 6–1 ndaj Monacos në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi brazilian ishte një nga protagonistët absolutë të mbrëmjes, duke realizuar gol dhe asist, në një ndeshje ku madrilenët dominuan nga minuta e parë deri në fund.
Pas takimit, Vinicius u shpreh i vendosur që emri i tij të lidhet vetëm me atë që jep në fushë dhe jo me polemika jashtë saj. “Dua të qëndroj te Real Madridi për një kohë shumë të gjatë. Vëmendja është gjithmonë tek unë, por nuk dua që kjo të ndodhë për çështje jashtë fushës. Dua që njerëzit të flasin për atë që i kam dhënë këtij klubi”, deklaroi braziliani.
Ai theksoi edhe përkushtimin maksimal ndaj fanellës së bardhë, duke nënvizuar se çdo ditë përpiqet të japë më të mirën e tij. “Duhet të jap gjithçka nga vetja çdo ditë. Mundohem të jap gjithçka që kam për këtë fanellë dhe për këtë klub që më ka dhënë kaq shumë”, u shpreh Vinicius.
Duke analizuar ndeshjen, 24-vjeçari vuri në pah mënyrën e lojës së ekipit, që i dha atij më shumë liri në sulm.
“E nisëm ndeshjen me përqendrim të lartë, duke qarkulluar topin nga njëra anë e fushës në tjetrën. Kjo më lejon ta zotëroj më shumë topin dhe është mënyra që më përshtatet më së miri”, përfundoi ai.
Deklaratat e Viniciusit vijnë si një sinjal qetësues për tifozët e Real Madridit, të cilët e shohin brazilianin si një nga shtyllat kryesore të së tashmes dhe së ardhmes së klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: