Mariah Carey, këngëtarja amerikane me famë botërore dhe fituese e çmimeve Grammy, do të jetë një nga ‘yjet’ kryesorë të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore 2026 në Milano-Cortina. Ajo do të performojë një këngë plotësisht në italisht, duke prekur zemrat e mijëra tifozëve dhe spektatorëve.
Ceremonia dyorëshe e hapjes do të zhvillohet më 6 shkurt 2026, në stadiumin legjendar ‘San Siro’, që ka kapacitet prej rreth 76,000 spektatorësh, impiant ku luajnë skuadrat e Serie A, AC Milan dhe Inter Milan.
Marco Balich, drejtori kreativ i ceremonisë, tha se performanca e Carey do të jetë një “shtesë magjike” për një event që feston bukurinë e Italisë dhe sportin. Ai theksoi se zgjedhja për të kënduar në italisht tregon guxim dhe respekt për kulturën vendase: “Do të shihni gjithë stadiumin duke kënduar së bashku me të, e premtoj”, tha Balich.
Përveç Carey, tenori italian Andrea Bocelli gjithashtu do të performojë para fillimit të 16 ditëve të garave në akull, dëborë dhe luginat alpine. Ceremonia do të përfshijë paradën e atletëve në Cortina dhe Livigno, me një skemë ku atletët do të jenë në qendër të vëmendjes.
Një homazh i veçantë do t’i bëhet legjendarit Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta në shtator 2025 dhe që ka kontribuar në dizajnin e uniformave të flamurtarëve. Ndërsa ndezja e flakës olimpike do të jetë e vogël për të reflektuar qasjen e qëndrueshme të organizatorëve, do të ketë dy kazanë olimpikë, një në qendër të Milanos dhe një tjetër në Cortina, ku do të zhvillohen garat e bobsleigh, skeleton dhe curling.
Ky spektakël premton të jetë një kombinim i muzikës, kulturës dhe sportit, duke përgatitur një hapje mbresëlënëse për Olimpiadën Dimërore 2026.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: