‘Internim’ për Dro, stërvitet i vetëm pas kërkesës për t’u larguar nga Barcelona

‘Internim’ për Dro, stërvitet i vetëm pas kërkesës për t’u larguar nga Barcelona

17:37, 20/01/2026

Situata mes talentit Dro dhe Barcelonës është tensionuar ndjeshëm pas vendimit të 18-vjeçarit për t’u larguar nga klubi që në këtë merkato janari. Ndryshe nga raste të tjera të menaxhuara me qetësi, kërkesa e tij ka shkaktuar pakënaqësi të thellë brenda klubit katalanas dhe veçanërisht te trajneri Hansi Flick.

Që prej së premtes së kaluar, kur Dro i komunikoi Flick-ut dhe drejtuesve sportivë dëshirën e tij të prerë për t’u larguar menjëherë, mesfushori ofensiv nuk stërvitet më me ekipin e parë, por as me ndonjë skuadër tjetër të akademisë. Ai po zhvillon seanca individuale, i vetëm, pa mbikëqyrjen e stafit teknik.

Vendimi i tij ka zhgënjyer veçanërisht Flick-un, i cili kishte investuar shumë te lojtari këtë sezon dhe e konsideronte një nga elementët me potencialin më të madh të akademisë “blaugrana”. Trajneri gjerman e ka përjashtuar menjëherë nga stërvitjet kolektive, duke e bërë të qartë se, pas këtij vendimi, Dro “nuk është më njësoj si të tjerët” në hierarkinë sportive të klubit.

Megjithatë, për shkak se lojtari ka ende kontratë me Barcelonën deri në qershor 2027 dhe nuk ka firmosur ende me ndonjë ekip tjetër, klubi nuk ia ka ndaluar përdorimin e ambienteve stërvitore. Ai vazhdon të atërvitet në Qytetin Sportiv, por vetëm.

Sa i përket së ardhmes, Dro ka në tavolinë disa oferta nga klube të rëndësishme europiane, kryesisht nga Gjermania, Anglia dhe Franca. Opsioni më i avancuar është PSG-ja e Luis Enrique-s, që i ka ofruar kontratë deri në vitin 2030. Negociatat janë në fazë të avancuar, por marrëveshja ende nuk është mbyllur.

Një gjë është e qartë: largimi i Dro-së nga Barcelona nuk po ndodh në mënyrë miqësore dhe zhgënjimi i shkaktuar ka sjellë pasoja konkrete sportive dhe ekonomike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco