Senegali 'digjet' nga festa, flamurë, këngë dhe valle pas triumfit në Kupën e Kombeve të Afrikës

Senegali 'digjet' nga festa, flamurë, këngë dhe valle pas triumfit në Kupën e Kombeve të Afrikës

16:51, 20/01/2026

Senegali po jeton orë feste të jashtëzakonshme pas triumfit në Kupën e Afrikës, me kryeqytetin Dakar të mbushur me flamuj, këngë dhe bori për kthimin e heronjve kombëtarë. Kombëtarja senegaleze mbërriti pak pas mesnate pas finales dramatike kundër Marokut, një ndeshje e mbushur me tension, polemika dhe emocione të forta.

Finalja u shoqërua me protesta nga lojtarët senegalezë, të cilët u larguan për pak çaste nga fusha pas akordimit të një penalltie në fund të kohës së rregullt. Megjithatë, pavarësisht polemikave, Senegali arriti të triumfonte në kohën shtesë, duke konfirmuar forcën, karakterin dhe shpirtin e një skuadre kampione.

Në aeroport, lojtarët u pritën nga Presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, i cili i përgëzoi publikisht për paraqitjen e tyre: “E bënë në mënyrë heroike. Luajtën futboll të bukur, treguan korrektësi dhe ishin shembull si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Nuk mund të jemi veçse krenarë për ta”, deklaroi kreu i shtetit.

Jashtë aeroportit, mijëra tifozë të veshur me ngjyrat kombëtare u mblodhën për t’i përshëndetur kampionët e Afrikës, duke valëvitur flamuj, duke kënduar dhe duke festuar pa pushim. Sadio Mané me shokë pritet të parakalojnë me autobus të hapur nëpër rrugët e Dakarit, përpara se të priten zyrtarisht në Pallatin Presidencial.

Megjithatë, mbi këtë festë qëndron ende një hije pasigurie: Maroku ka paraqitur një ankesë pranë CAF dhe FIFA-s, lidhur me largimin e përkohshëm të Senegalit nga fusha dhe episodin e penalltisë, e cila sipas shumicës së ekspertëve ishte e rregullt. Një zhvillim që pritet me vëmendje, por që për momentin nuk e ka zbehur aspak gëzimin e një kombi të tërë.

">http://

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco