Një skandal i rëndë ka goditur futbollin e femrave në Angli, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv.
Federata Angleze e Futbollit (FA) ka vendosur një dënim drastik prej 12 vitesh pezullim ndaj ish-trajnerit Ryan Hamilton, i cili drejtonte një skuadër të kategorisë së katërt, pas akuzave serioze për sjellje të papërshtatshme dhe abuzive ndaj lojtareve.
Sipas vendimit të publikuar nga FA, Hamilton u shpall fajtor për dërgimin e mesazheve, fotografive dhe videove me përmbajtje eksplicite seksuale ndaj katër futbollisteve dhe një anëtareje të stafit.
Hetimet zbuluan se ai kishte përdorur platforma si Snapchat dhe WhatsApp për të dërguar imazhe të organeve gjenitale dhe video me akte seksuale, si dhe për të bërë sugjerime të përsëritura për marrëdhënie intime, duke përmendur edhe ambientet e klubit.
Paneli disiplinor i FA konstatoi se sjellja e tij nuk ishte vetëm e papranueshme nga ana morale, por edhe psikologjikisht abuzive. Hamilton u përshkrua si një trajner me stil agresiv dhe bullizues, i cili poshtëronte dhe nënçmonte lojtaret, deri në atë pikë sa disa prej tyre refuzuan të vazhdonin të luanin për klubin.
Ankesat u paraqitën në tetor 2024 nga pesë gra, të cilat ofruan prova të besueshme për një periudhë rreth dyvjeçare abuzimi. Edhe pse Hamilton i mohoi akuzat, ai nuk bashkëpunoi plotësisht me hetimin dhe e ndërpreu intervistën me FA.
Komisioni rregullator theksoi mungesën totale të pendesës apo reflektimit nga ana e tij, duke vërtetuar 23 nga 24 akuzat. Kryetarja e panelit, Jane Bickerstaff KC, deklaroi se Hamilton kishte keqpërdorur rëndë pozitën e besimit dhe autoritetit mbi lojtaret, ndaj pezullimi i menjëhershëm nga çdo aktivitet futbollistik ishte masa e vetme e drejtë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: