Como fiton bindshëm “Monday Night”-in e javës së 21-të të Serie A, duke mposhtur Lazion 3–0 në “Olimpico” dhe duke dhënë një sinjal të fortë në garën për zonën europiane. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas zhvilloi një ndeshje thuajse perfekte, ndërsa bardhekaltrit u shfaqën të pafuqishëm përballë intensitetit dhe cilësisë së kundërshtarit.
Ndeshja u zhbllokua që në minutën e dytë, kur Baturina lëshoi një goditje të fortë me të djathtën, e devijuar në mënyrë fatale nga Romagnoli, duke e lënë Provedel-in të pashpresë. Lazio u përpoq të reagonte dhe në minutën e 20-të pati një rast të mirë me Cancellieri-n, por Butez doli në kohë dhe e neutralizoi rrezikun. Goli i dytë erdhi në minutën e 24-t, kur pas një krosimi të Baturinës dhe një devijimi të gabuar nga Caqueret, Nico Paz përfitoi në zonë dhe realizoi 2–0.
Në minutën e 34-t, pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri Fabbri akordoi penallti për Comon, por këtë herë Provedel priti goditjen e Nico Paz-it. Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë, miqtë e vulosën fitoren: një asist spektakolar me thembër nga Baturina nxori sërish Nico Paz-in përballë portës dhe argjentinasi shënoi golin e tretë, duke realizuar ‘dopietën’ e tij të parë në Serinë A.
Lazio ishte në vështirësi të plotë, ndërsa Provedel shmangu edhe golin e katërt ndaj Da Cunha-s. Me këtë fitore, Como ngjitet në kuotën e 37 pikëve dhe i afrohet në vetëm dy pikë vendit të pestë ku ndodhet Juventusi. Lazio mbetet në 28 pikë, në vendin e nëntë, mes shumë pikëpyetjeve për vazhdimësinë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: