Partizani arriti një fitore 2-1 ‘in extremis’ ndaj Teutës në ‘Arenën e Demave, duke parakaluar në renditje pikërisht ekipin durrsak falë epërsisë në ndeshjet direkte, pasi të dyja skuadrat kanë nga 26 pikë.
Të kuqtë nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 31-të. Një top i gjatë në thellësi gjeti Tomën, i cili shfaqet para portierit Selmani dhe shënoi golin e epërsisë për Partizanin. Pas golit, Partizani krijoi disa raste për të dyfishuar avantazhin, por Bintsuka nuk ia doli të mposhtte portierin, edhe pas dy mundësive në minutën e 49-të.
Në pjesën e dytë, Maçolli tentoi nga jashtë zonës në minutën e 71-të, por gjuajtja shkoi shumë lart.
Teuta barazoi shifrat në minutën e 80-të, kur Jazxhi shënoi me kokë pas një harkimi në zonë, duke rikthyer baraspeshën.
Trajneri i Partizanit bëri ndryshime në minutën e 82-të, duke futur Qakën dhe Skukën në vend të Ismailit dhe Bintsukës, për të freskuar sulmin.
Drama arriti kulmin në minutën e 93-të, kur Contreras realizoi golin e fitores për Partizanin, duke i dhënë ekipit të tij tri pikët e çmuara dhe mundësinë të parakalojë Teutën në renditje, falë epërsisë direkte mes tyre.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: