Federata Marokene paraqet ankesë në FIFA kundër Senegalit për kaosin në finalen e Kupës së Afrikës

Federata Marokene paraqet ankesë në FIFA kundër Senegalit për kaosin në finalen e Kupës së Afrikës

17:20, 19/01/2026

Finalja e Kupës së Afrikës së Kombeve vazhdon të prodhojë polemika edhe pas përfundimit të saj. Federata Mbretërore Marokene e Futbollit ka njoftuar zyrtarisht, përmes një komunikate, se do të paraqesë ankesë formale në FIFA dhe në Konfederatën Afrikane të Futbollit (CAF) kundër përfaqësueses së Senegalit, për ngjarjet e ndodhura në minutat e fundit të finales.

Në qendër të ankesës qëndron largimi i lojtarëve senegalezë nga fusha, pas akordimit të një penalltie në favor të Marokut në minutën 90+7’. Sipas federatës marokene, ky veprim përbën shkelje serioze të rregullave dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën normale të ndeshjes dhe në performancën e lojtarëve të saj, veçanërisht duke marrë parasysh presionin e momentit.

Maroku thekson se vendimi i arbitrit për penalltinë është konsideruar i saktë nga ekspertët e arbitrimit, ndërsa reagimi i Senegalit, përfshirë urdhrin e trajnerit Pape Thiaw që skuadra të largohej nga fusha, ka krijuar një situatë kaotike dhe të papranueshme për një finale kontinentale. Duhet kujtuar se pak çaste më parë arbitri kishte anuluar një gol të Senegalit, gjë që shtoi edhe më shumë tensionin.

Një nga të paktët lojtarë senegalezë që refuzoi të largohej nga fusha ishte Sadio Mané, i cili u përpoq t’i bindte shokët e skuadrës dhe trajnerin që ndeshja të vazhdonte normalisht. Pas një ndërprerjeje, takimi rifilloi, por Brahim Díaz gaboi penalltinë me një Panenka, ndërsa Senegali përfundimisht fitoi ndeshjen në kohën shtesë.

Federata marokene theksoi gjithashtu mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve gjatë gjithë turneut dhe kërkoi që organet ndërkombëtare të futbollit të hetojnë ngjarjen dhe të marrin masa për të garantuar respektimin e rregullave dhe fair-play-in në kompeticione të tilla madhore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco