Nuhiu pas barazimit me Vorën: Tirana po rritet, pikët e humbura do t’i marrim ndaj ekipeve të kreut

Nuhiu pas barazimit me Vorën: Tirana po rritet, pikët e humbura do t’i marrim ndaj ekipeve të kreut

16:40, 19/01/2026

Tirana u ndal në një barazim 1–1 në transfertën ndaj Vorës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Superiores, por trajneri Ardijan Nuhiu u shfaq i kënaqur me paraqitjen dhe reagimin e skuadrës së tij. Pas përfundimit të takimit, tekniku bardheblu analizoi me qetësi sfidën, duke theksuar rritjen e ekipit dhe besimin për të ardhmen.

Sipas Nuhiut, pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që u treguan të kujdesshme dhe krijuan pak raste. Tirana i la disi hapësira kundërshtarit, por pa rrezikuar ndjeshëm. Ndryshe u shfaq loja në pjesën e dytë, ku bardheblutë rritën agresivitetin dhe meritonin diçka më shumë se barazimi. “Kishim mundësinë ta dyfishonim rezultatin, por në futboll duhet edhe fati”, theksoi trajneri, duke shtuar se ekipi tregoi karakter dhe dëshirë për ta fituar ndeshjen.

Nuhiu zbuloi edhe udhëzimet e dhëna në pushim, ku kërkoi presion më të lartë dhe moslejim të qarkullimit të topit nga Vora. Ky ndryshim u shpërblye me golin e avantazhit, falë një loje më agresive dhe gabimeve të detyruara të kundërshtarit. Megjithatë, një moment pakujdesie në mbrojtje dhe një krosim i lejuar sollën golin e barazimit për vendasit.

Trajneri shpjegoi edhe zgjedhjet taktike, duke theksuar se qarkullimi i mirë i topit dhe lëvizjet e Rafës e Patrikut e bindën të mos ndërhynte herët me zëvendësime. Ai vlerësoi energjinë dhe vrapimin e skuadrës, duke pranuar se në mbrojtjen e zonës duhej më shumë agresivitet.

Në fund, Nuhiju u shpreh optimist: “Kam besim te grupi. Dy pikët që lamë sot, do t’i marrim ndaj ekipeve të kreut. Me kalimin e kohës do të rritemi edhe fizikisht dhe do të krijojmë më shumë raste”, përfundoi tekniku i Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco