Crystal Palace i ka thënë “jo” ofertës së Juventusit për sulmuesin francez Jean-Philippe Mateta. Bardhezinjtë kishin propozuar një huazim me kosto 2 milionë euro dhe detyrim blerjeje për 28 milionë euro, i kushtëzuar nga kualifikimi në Champions League sezonit të ardhshëm.
Megjithatë, klubi londinez e vlerëson lojtarin jo më pak se 40 milionë euro dhe aktualisht konsideron vetëm shitjen e menjëhershme të tij në formë përfundimtare. Kështu, negociatat janë në një fazë të ngrirë. Nga ana e lojtarit, marrëveshja me Juventusin për një kontratë katërvjeçare është tashmë arritur.
Situata në Crystal Palace nuk është e qetë. Trajneri Oliver Glasner njoftoi se në fund të sezonit do të largohet nga klubi, pavarësisht ofertës për rinovim, duke kërkuar një sfidë të re. Konfliktet me pronarët lidhen kryesisht me vendimet e merkatos, përfshirë largimin e Marc Guehi-t për rreth 25 milionë euro drejt Manchester City-t. Glasner kritikoi klubin për shitjen e lojtarëve të rëndësishëm në prag të ndeshjeve dhe shprehu zhgënjim për mënyrën se si po menaxhohet sezoni.
Në lidhje me Mateta-n, Glasner theksoi se çdo lëvizje do të ketë një çmim: “Nëse dikush do të paguajë shifrën e duhur, atëherë ai mund të largohet, në të kundërt mbetet te ne.” Deri tani, askush nuk ka arritur të përmbushë kërkesat e Palace-it, duke e bërë të qartë se sulmuesi francez do të qëndrojë për momentin në Angli.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: