Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, zhvilloi konferencën për shtypin përpara takimit ndaj Teutës, duke komentuar për gjendjen e lojtarëve, mungesat dhe objektivat e skuadrës në vijim të kampionatit. Ai shprehu qetësinë e klubit dhe besimin te grupi, duke theksuar se çdo ndeshje duhet luajtur për fitore.
Çfarë po ju mundon në këto momente?
Ndoshta mund të kenë qenë tensionet e ndeshjes, por nuk po na shqetëson asgjë. Kur ke dominuar dhe ke pasur shumë raste për të shënuar, ndonjëherë nuk e kupton si mund të humbasësh pikët. Thjesht ka qenë tension i lojës, asgjë më shumë.
Si është gjendja psikologjike e lojtarëve pas ndeshjes së fundit?
Po besoj se po. Çunat janë profesionistë dhe po japin maksimumin në stërvitje. Grupi është i shëndetshëm. Po mundohemi të rregullojmë gabimet dhe të shfrytëzojmë më mirë rastet para portës. Të gjithë po punojmë me kokën ulur për të vazhduar përpara.
A rrezikohet vazhdimësia juaj në drejtimin e skuadrës?
Kjo pyetje nuk është shumë e duhura tani. Nuk është problem. Ne jemi një projekt afatgjatë i klubit. Trajneri gjithmonë është në presion, mësohemi. Në ekipet e mëdha të botës, edhe pasi fitojnë Champions-in, trajnerët largohen. Ne jemi të qetë, nuk kemi presion të tillë siç aludon media. Kemi besim të plotë te grupi dhe stafi.
Sa e rëndësishme është ndeshja me Teutën?
Çdo ndeshje është e rëndësishme. Nuk besoj se ka trajner në botë që hyjnë në ndeshje dhe nuk synojnë fitore. Për ne çdo ndeshje ka peshë, si Vora ashtu edhe Teuta. Presioni është normal, por Partizani duhet gjithmonë të hyjë për fitore.
Në fazën e parë keni barazuar në shtëpi dhe më pas fituat në Durrës…
Të them të drejtën, atëherë kam qenë si asistent. Në Durrës ka qenë tablo tjetër. Gabimet në pjesën defensive u rregulluan dhe dolëm te golat. Tashmë është një ndeshje tjetër; edhe ne dhe Teuta kemi ndryshuar, do ta vendosë fusha.
Si është gjendja aktuale e skuadrës?
Grupi është pothuajse i njëjtë, përveç Qakës. Presim t’i bashkohet Preka. Problemi ynë ka qenë stabiliteti në mbrojtje. Lojtarët si Preka dhe Sembene kanë pasur dëmtime, Marku gjithashtu për afat të gjatë. Megjithatë besojmë te ky grup dhe klubi gjithashtu.
A do të debutojë Qaka nesër?
Do e shikojmë në stërvitje. Varet nga gjendja e të gjithë futbollistëve, jo vetëm e Qakës.
Ju mungon një sulmues nga merkato?
Nuk mund të themi që na mungon. Kemi katër sulmues: Skuka, Bintsuka, Diego dhe Toma. Mund të kërkojmë ndonjë lojtar anësor, por gjithçka bëhet në grup. Nëse do vijë ndonjë për cilësi, mirëpritur, në të kundërt nuk kemi nevojë vetëm për numër.
A keni pikasur elementë të rinj?
Po, vazhdimisht skautojmë brenda dhe jashtë vendit, por deri tani nuk ka pasur asgjë serioze që mund të ndryshojë shumë gjendjen e grupit. Ne vazhdojmë punën dhe besojmë te ky ekip.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: