Fiorentina gjeti forcën të fitonte në një ditë të mbushur me emocione, duke mposhtur Bologna-n 2–1 në “Dall’Ara” në javën e 21-të të Serisë A. ‘Derby’ i Apenineve u luajt nën hijen e ndarjes nga jeta të presidentit Rocco Commisso, i cili u përkujtua me një minutë heshtjeje prekëse para fillimit të ndeshjes. ‘Vjollcët’, me shiritin e zisë në krah, zgjodhën të luanin dhe e nderuan ‘padronin’ e tyre me një paraqitje bindëse.
Fiorentina e nisi më mirë takimin dhe gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 17-të me Ndour, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Reagimi ishte i menjëhershëm: në minutën e 19-të, Gudmundsson shërbeu një asist perfekt nga e majta dhe Mandragora realizoi nga qendra e zonës për 0–1, duke i kushtuar golin të ndjerit Commisso me një fanellë dedikimi “Rocco”.
Dominimi i miqve vazhdoi dhe në fund të pjesës së parë Piccoli dyfishoi shifrat pas një aksioni të shkëlqyer të Dodò-së nga e djathta. Bologna u përpoq të ndryshonte ritmin në pjesën e dytë me zëvendësime të shumta, por rastet më të pastra i krijoi sërish Fiorentina, që iu afrua golit të tretë me Pongraçiç.
Finalja u bë dramatike: Rowe goditi shtyllën në minutën e 85-të dhe pak më vonë asistoi për Fabbian, i cili shkurtoi diferencën në 2–1. Në sekondat e fundit Cambiaghi ishte pranë barazimit, por Fiorentina rezistoi.
Me këtë fitore, ‘vjollcët’ ngjiten në kuotën e 17 pikëve dhe ringjallin shpresat për mbijetesë, ndërsa Bologna mbetet në kuotën e 30 pikëve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: