VIDEO/ Gol magjik në minutën e fundit, Ernest Muçi i jep fitoren Trabzonsporit dhe i dërgon mesazh të fortë për Sylvinho-s

VIDEO/ Gol magjik në minutën e fundit, Ernest Muçi i jep fitoren Trabzonsporit dhe i dërgon mesazh të fortë për Sylvinho-s

17:16, 18/01/2026

Ernest Muçi po jeton momentin më të mirë të karrierës së tij dhe këtë e konfirmoi edhe në javën e 18-të të Superligës turke, ku me një gol fenomenal në sekondat e fundit i dhuroi Trabzonsporit një fitore jetike në transfertë ndaj Kocaelisporit, 2–1. Një goditje vendimtare në minutën 90+1, që ndezi festën e miqve dhe heshti stadiumin në Kocaeli.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 18-të me Bruno Petković. Trabzonspori reagoi para pushimit, duke barazuar shifrat në minutën e 44-t me Felipe Auguston. Por momenti që vendosi gjithçka erdhi në fund, kur Muçi mori përgjegjësinë dhe me një finalizim të jashtëzakonshëm i dha ekipit të tij fitoren dramatike.

Sulmuesi shqiptar po shpërthen në muajt e fundit dhe është kthyer në një nga lojtarët më vendimtarë të Trabzonsporit. Në elitën e futbollit turk këtë sezon, Muçi tashmë numëron tetë gola dhe një asist (dy gola të tjerë i ka shënuar në Kupë), shifra që flasin qartë për ndikimin e tij në lojë. Forma e tij e shkëlqyer ka qenë vendimtare edhe për t’i dhënë fund serisë negative të Trabzonsporit, që tani ka ngjitur kuotën e 39 pikëve.

Ky shpërthim nuk është vetëm lajm i madh për klubin turk, por edhe një mesazh i drejtpërdrejtë për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, në prag të ndeshjeve të marsit. Muçi po tregon se është gati të bëjë diferencën, qoftë në Turqi, qoftë me fanellën kuqezi.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco