Skena të rënda dhune janë regjistruar mesditën e së dielës në autostradën A1, në zonën e Casalecchio di Reno, në periferi të Bolonjës, ku grupe tifozësh të Fiorentinës dhe Romës janë përfshirë në përleshje fizike. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 dhe ka shkaktuar alarm të madh, si për përdoruesit e autostradës ashtu edhe për autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, rreth 200 persona, të veshur me kapuçë dhe me fytyra të mbuluara, kanë ndalur automjetet e tyre në korsinë e emergjencës dhe kanë zbritur në autostradë, duke u përballur mes tyre me helmeta dhe shufra metalike. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë qartë momentet e tensionit ekstrem dhe rrezikun serioz për sigurinë publike.
Tifozët e Fiorentinës ishin në udhëtim drejt Bolonjës për të ndjekur ekipin e tyre, ndërsa mbështetësit e Romës po udhëtonin drejt Torinos. Takimi i rastësishëm i dy grupeve në autostradë ka mjaftuar për të ndezur konfliktin, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje problemin e dhunës së organizuar mes tifozëve në futbollin italian.
Policia e Bolonjës ka ndërhyrë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll dhe aktualisht është duke punuar për identifikimin e personave të përfshirë. Autoritetet kanë bërë të ditur se do të analizohen pamjet filmike dhe dëshmitë për të ndëshkuar përgjegjësit, ndërsa nuk përjashtohen masa të ashpra disiplinore dhe penale ndaj tifozëve të dhunshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: