Zlatan Ibrahimovic ka sqaruar arsyet pse nuk e sheh veten kurrë në rolin e trajnerit, duke folur hapur edhe për vështirësitë që po përjeton në detyrën e tij të re drejtuese te Milani. Në një intervistë për (Ne)uspjeh prvaka, ish-sulmuesi suedez, sot këshilltar strategjik i RedBird për klubin kuqezi, ka theksuar se të qenët futbollist i madh nuk do të thotë automatikisht të jesh edhe një trajner i suksesshëm.
“Të kesh qenë një lojtar i madh nuk do të thotë të jesh një trajner i madh. Janë dy botë krejtësisht të ndryshme. Trajnimi të ndihmon deri diku, por shumë gabojnë sepse mendojnë se nisin me avantazh”, është shprehur Ibrahimovic, duke mbyllur përfundimisht derën e pankinës për të ardhmen e tij.
Ibra ka folur edhe për sfidat e rolit aktual në strukturat e Milanit. “Pjesa më e vështirë është të mos mund të ndihmosh drejtpërdrejt lojtarët, trajnerët dhe tifozët. Për 25 vite kam jetuar me atë adrenalinë: të hysh në fushë dhe të detyrohesh të fitosh. Tani po mësoj të ndikoj në një mënyrë tjetër, por nuk është e lehtë”, ka pranuar suedezi.
Sipas Ibrahimovic-it, gabimi më i zakonshëm i ish-kampionëve është egoja. “Shumë duan të nisin menjëherë nga maja. Ky është gabimi më i madh. Nëse gabon lart, pasojat janë shumë të mëdha. Unë do të filloja nga poshtë, nga fëmijët, sepse nga gabimet mëson”, ka shtuar ai.
Mesazhi i Ibrahimovicit është i qartë: emri i madh nuk mjafton në futboll. Suksesi kërkon përulësi, kohë dhe gatishmëri për të mësuar, edhe kur je Zlatan.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: