Manchester City është shumë pranë finalizimit të transferimit të Marc Guéhi nga Crystal Palace, me palët që kanë arritur një marrëveshje parimore. Operacioni parashikon një pagesë fillestare prej rreth 20 milionë paundësh, ndërsa bonuset e përfshira në kontratë e çojnë vlerën totale të marrëveshjes afër shifrës 30 milionë paundë.
Crystal Palace fillimisht kishte kërkuar 35 milionë paundë për qendërmbrojtësin 25-vjeçar, por duke marrë parasysh shtesat financiare dhe një klauzolë për përfitim nga një shitje e ardhshme, klubi londinez ka vendosur të pranojë ofertën e City-t. Vendimi për ta shitur tani lidhet edhe me faktin se Palace rrezikonte ta humbiste Guéhin me parametra zero në përfundim të kontratës së tij aktuale.
Nga ana tjetër, Marc Guéhi ka rënë dakord verbalisht për kushtet personale me Manchester City-n. Ai pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare e gjysmë, e cila do ta bëjë atë një nga dhjetë lojtarët më të paguar në skuadrën e kampionëve të Anglisë.
Sipas raportimeve, mbrojtësi i kombëtares angleze do të përfitojë rreth 300 mijë paundë në javë, një shifër që reflekton rëndësinë që City i atribuon këtij transferimi dhe rolin që Guéhi pritet të ketë në projektin afatgjatë të klubit.
Ky përforcim do t’i shtojë cilësi, eksperiencë dhe siguri repartit mbrojtës të Manchester City-t, ndërsa për Guéhi-n përfaqëson një hap të madh në karrierë, duke kaluar nga roli i liderit te Palace në një skuadër që synon vazhdimisht trofetë më të mëdhenj në Angli dhe Europë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: