Partizani prezanton Kamer Qakën, përforcim me vlerë për trajnerin Kërnaja

Partizani prezanton Kamer Qakën, përforcim me vlerë për trajnerin Kërnaja

14:33, 14/01/2026

Partizani ka zyrtarizuar afrimin e Kamer Qakës, duke përforcuar mesfushën me një emër me përvojë ndërkombëtare. Ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë është tashmë pjesë e skuadrës së kuqe dhe për herë të parë në karrierën e tij do të aktivizohet në Kampionatin Shqiptar.

Futbollisti 30-vjeçar ka firmosur një kontratë njëvjeçare e gjysmë me Partizanin dhe është prezantuar zyrtarisht në ambientet e klubit nga drejtori sportiv Agim Ibraimi. Me këtë lëvizje, të kuqtë synojnë të rrisin cilësinë dhe eksperiencën në repartin e mesfushës.

Qaka vjen te Partizani pas një aventure të suksesshme me Shkëndijën e Tetovës, ku ishte një nga elementët kyç të skuadrës. Me klubin nga Maqedonia e Veriut ai arriti të fitojë dy tituj kampion, ndërsa la gjurmë edhe në arenën europiane, duke u aktivizuar në të gjitha ndeshjet e Ligës së Konferencës dhe duke ofruar paraqitje mjaft bindëse.

I lindur në Pejë, Kamer Qaka ka ndërtuar një karrierë të pasur jashtë vendit. Ai ka luajtur në Norvegji me skuadrat Raufoss, Hønefoss dhe Sarpsborg, ndërsa më pas ka pasur eksperienca edhe në Rumani me Poli Iași dhe Steaua Bukuresht, si dhe në Hungari me Mezokövesd.

Afrimi i tij shihet si një vlerë e shtuar për Partizanin në objektivat e pjesës së mbetur të sezonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco