Eksperienca e shkurtër e Xabi Alonsos në stolin e Real Madridit do të lërë pasoja jo vetëm sportive, por edhe financiare për klubin madrilen. Trajneri spanjoll u shkarkua dy ditë më parë, vetëm pak orë pas humbjes në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës, duke mbyllur para kohe një projekt që kishte nisur me pritshmëri të mëdha, por që zgjati vetëm gjashtë muaj.
Vendimi i marrë nga drejtuesit e klubit, me Florentino Perez në krye, e detyron Real Madridin të përballet me një pagesë të konsiderueshme për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së trajnerit. Sipas gazetës spanjolle “La Razón”, marrëveshja fillestare e nënshkruar me Xabi Alonson ishte dyvjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një sezon shtesë, çka do të sillte një kosto totale që mund të kalonte shifrën e 30 milionë eurove.
Megjithatë, një klauzolë e përfshirë në kontratë ka ndryshuar ndjeshëm situatën. Dokumenti parashikonte qartë se, në rast shkarkimi gjatë sezonit të parë, trajneri do të kishte të drejtë vetëm për pagën e një viti dhe jo për të gjithë vlerën e kontratës. Ky detaj rezultoi vendimtar për uljen e barrës financiare për klubin.
Falë kësaj klauzole, Real Madrid do të shmangë një dëm shumë më të madh ekonomik. Në vend të një kompensimi që do të tejkalonte 20 milionë euro, Xabi Alonso pritet të arkëtojë rreth 8 milionë euro. Një shifër e konsiderueshme, por gjithsesi shumë më e përballueshme për klubin madrilen, që tashmë po mendon për kapitullin e radhës në pankinë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: