Milani ka zyrtarizuar afrimin e një tjetër talenti premtues nga Kosova. Klubi kuqezi ka konfirmuar transferimin e mesfushorit të ri Aron Babaj, i cili deri më tani ishte pjesë e skuadrës Prishtina e Re.
Një hap i madh në karrierën e 16-vjeçarit: nga futbolli kosovar drejt Italisë, nga Superliga e Kosovës në Serinë A, për t’u bashkuar me një nga klubet më të mëdha të futbollit evropian. Ëndrra e Aron Babajt është bërë realitet këtë të martë, kur kalimi i tij te Milani është bërë zyrtar.
Lajmi është konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e AC Milanit, e cila ka bërë të ditur se mesfushori i lindur në vitin 2009 ka firmosur kontratën me klubin dhe do të jetë pjesë e “Projektit të së Ardhmes”, një program i dedikuar për identifikimin, rritjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj.
“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e Aron Babajt, i cili do të bëhet pjesë e Projektit të së Ardhmes së klubit”, thuhet në komunikatën zyrtare të kuqezinjve, ku theksohet se mesfushori ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij me fanellën e Milanit.
Aron Babaj është gjithashtu pjesë e Kombëtares së Kosovës U-17 dhe vjen nga një familje futbollistësh, pasi është djali i ish-futbollistit të njohur Shpëtim Babaj. Kalimi te Milani përfaqëson një mundësi të madhe për zhvillimin e tij dhe një tjetër dëshmi të potencialit që ofron futbolli kosovar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: