I përmbajtur dhe i drejtpërdrejtë, ashtu siç është shfaqur edhe në konferencat e tij për shtyp, pa ngritur zërin. Xabi Alonso është përshëndetur me tifozët e Real Madridit me një komunikatë të shkurtër të publikuar në rrjetet sociale, konkretisht në Instagram:
“Ky kapitull profesional po mbyllet dhe nuk ka përfunduar ashtu siç do të kishim dëshiruar. Të stërvitja Real Madridin ka qenë një nder dhe një përgjegjësi”, – nis mesazhin tekniku spanjoll, për ta mbyllur më pas: – “E falënderoj klubin, lojtarët dhe mbi të gjithë tifozët dhe madridizmin për besimin dhe mbështetjen. Largohem me respekt, mirënjohje dhe krenarinë se kam bërë më të mirën e mundshme”.
Këto janë fjalët e para të Xabi Alonsos pas shkarkimit të tij nga detyra, i cili u zyrtarizua pasditen e së hënës së kaluar. Real Madridi i tij ishte mposhtur në finalen e Superkupës nga Barcelona dhe kështu u konkretizua ajo që prej javësh po dukej e pashmangshme: largimi i tij nga pankina. Megjithatë, klubi madrilen publikoi një komunikatë ku theksoi se ndërprerja e bashkëpunimit ishte bërë “me marrëveshje të përbashkët”.
Në deklaratat e para pas shkarkimit, Xabi Alonso nënvizon se largohet me “respekt” dhe, pa lënë vend për nënkuptime, falënderon klubin për mundësinë që i dha të drejtonte Real Madridin, ekip me të cilin ka bërë histori edhe si futbollist. Ai ka pritur një ditë pas lajmit për të reaguar publikisht, duke dhënë versionin e tij pa shfaqur asnjë ndjenjë pakënaqësie.
Nga ky moment, për Xabi Alonson hapet një etapë e re. Sipas rregullores spanjolle, ai nuk do të mund të drejtojë një tjetër skuadër të LaLigës, por do të ketë mundësi të trajnojë jashtë Spanjës, edhe ekipe që marrin pjesë në Ligën e Kampionëve.
Xabi Alonso largohet nga Real Madridi pas 321 ditësh dhe 34 ndeshjesh në krye të skuadrës. Pas një fillimi mbresëlënës, ku fitoi dhjetë ndeshjet e para radhazi, gjithçka nisi të shembej pas derbit në “Metropolitano” (5–2) dhe më përfundimisht pas fitores në “El Clasico”, me reagimet e Vinícius pas zëvendësimit. Ai episod u shndërrua në pikën e kthesës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: