Largimi i papritur i Xabi Alonsos nga pankina e Real Madridit i gjeti të papërgatitur lojtarët e skuadrës, të cilët u informuan përmes komunikatës zyrtare të klubit. Reagimet në rrjetet sociale nisën shpejt dhe i pari që foli publikisht ishte Kylian Mbappé.
Sulmuesi francez i kushtoi një mesazh të ngrohtë ish-trajnerit të tij në Instagram: “Ka qenë një periudhë e shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja prej teje. Faleminderit për besimin që më dhe që nga dita e parë. Do të të mbaj mend si një trajner me ide të qarta dhe me shumë njohuri futbolli. Të uroj shumë fat në etapën e re”.
Pas Mbappé-së, reagime të ngjashme erdhën nga shumë futbollistë të Real Madridit. Arda Güler, Tchouaméni, Huijsen, Ceballos, Lunin, Courtois, Rodrygo, Valverde, Fran García, Rüdiger, Camavinga, Alaba dhe të tjerë shprehën mirënjohjen e tyre për punën, besimin dhe ndikimin e Xabi Alonsos, duke i uruar suksese në të ardhmen.
Megjithatë, pati edhe “mungesa” që ranë në sy. Deri në fund të ditës, disa lojtarë të rëndësishëm të skuadrës si Vinícius Jr., Militao, Trent, Mendy, Bellingham, Brahim dhe Mastantuono nuk kishin reaguar publikisht. Edhe Endrick nuk postoi asgjë, por sulmuesi brazilian ndodhet i huazuar te Olympique Lyon dhe nuk ishte më nën drejtimin e trajnerit bask.
Në fund, pavarësisht disa heshtjeve, shumica e skuadrës zgjodhi ta përshëndesë publikisht Xabi Alonson, duke mbyllur një kapitull të shkurtër, por domethënës, në historinë e tij me Real Madridin.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: