Luciano Spalletti, trajneri i Juventusit, u shfaq i kënaqur pas fitores së thellë 5–0 ndaj Cremonese-s dhe në prononcimin për “Sky Sport” vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, duke theksuar qasjen dhe vazhdimësinë gjatë lojës.
“Bëmë një ndeshje të mirë, me qasjen e duhur, përballë një kundërshtari që e njeh shumë mirë këtë kategori. Nicola e njeh kampionatin si xhepin e vet: skuadrat e tij luftojnë gjithmonë dhe janë të organizuara”, u shpreh Spalletti. Ai pranoi se te goli i parë kishte edhe pak fat, por theksoi se Juventusi krijoi shumë: “Patëm fat në episodin e parë, por edhe jo te shtylla e David. Ishte një ndeshje ku dhamë vazhdimësi dhe ishim shumë të qartë për periudha të gjata, edhe pse ka gjithmonë luhatje që janë të vështira për t’u shmangur”.
Trajneri bardhezi foli edhe për rivalët kryesorë në garë, Interin dhe Napolin: “I pashë dje dhe më pëlqyen shumë. Janë dy skuadra të nivelit të lartë, me dy trajnerë shumë të zotë. Ne duhet të rritemi shpejt nëse duam të arrijmë atë nivel”.
Sa i përket së ardhmes së tij, Spalletti ishte i qartë: “Kontrata nuk më intereson. Më intereson të shoh lojtarët që më ndjekin dhe reagimin e skuadrës në fushë”. Me nota ironie shtoi: “Spalletti i vërtetë? Ndryshoj pak, jam më i moshuar…, por lojtarët e mirë janë gjithmonë stimulues”.
Në fund, ai u ndal edhe te episodet e diskutueshme në zonë: “Asnjëra nuk ishte penallti. I rishikova të dyja rastet: Locatelli prek topin dhe më pas tërheq këmbën”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: