Debutimi i Endrick-ut me Lyon-in nuk mund të ishte më i mirë. I huazuar nga Real Madridi, sulmuesi brazilian u aktivizua nga Paulo Fonseca në Kupën e Francës dhe shënoi golin vendimtar që i dha fitoren 2-1 skuadrës së tij ndaj Lille, duke e çuar Lyonin në rundin tjetër të turneut. Në të njëjtën kohë, Real Madrid, klubi që e huazoi, humbi Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite ndaj Barcelonës.
Endrick shënoi në minutën e 43-të, pas një goli të parë nga portugezi Afonso Moreira, ndërsa më parë braziliani kishte goditur shtyllën. Ky gol i debutimit ishte një shpërblim për lojtarin e ri, i cili tregoi se është gati të kontribuojë menjëherë në ekipin e Fonseca-s.
‘Jam shumë i lumtur. Ishte ndeshja ime e parë dhe goli im i parë. Më e rëndësishmja është fitorja dhe kalimi në raundin tjetër. Falënderoj Zotin që mund të kthehem të luaj dhe të buzëqesh. Gjithçka po shkon shumë mirë, edhe më mirë se sa kisha imagjinuar, deklaroi Endrick për BeIn Sports.
Sulmuesi brazilian theksoi edhe rëndësinë e integrimit në ekip: ‘Flas pak anglisht, gjë që më lejon të komunikoj dhe të bëj shaka me ekipin. Bisedoj me të gjithë dhe ndihem si në shtëpi’, shtoi ai.
Endrick nuk harroi të falënderonte stafin teknik nën drejtimin e Paulo Fonseca-s: ‘Jam shumë i kënaqur, falënderoj stafin teknik dhe shokët e skuadrës që më pritën kaq mirë. I thashë trajnerit që dua të luaj, pavarësisht pozicionit, dhe të ndihmoj ekipin në çdo mënyrë të mundshme. Mendoj se sot e bëra këtë dhe dua të bëj edhe më shumë. Çfarë dua unë është të fitojmë, golat do të vijnë vetë. Më e rëndësishmja është që ekipi të fitojë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: