FA Cup vijon të konfirmojë reputacionin e saj si kompeticioni i surprizave. Turneu më i vjetër i futbollit anglez dhuroi emocione të forta edhe në ndeshjet e luajtura sot, ku rezultati më befasues erdhi nga Macclesfield. Skuadra e Kategorisë së Gjashtë arriti të mposhtë 2-1 Crystal Palace, duke eliminuar fituesin në fuqi të FA Cup dhe duke shkruar një faqe historike për klubin e vogël.
Në përballjet e tjera, Leicester u tregua i sigurt në transfertë, duke fituar 2-0 ndaj Cheltenham, ndërsa Wolves dhuroi spektakël me një fitore të thellë 6-1 kundër Shrewsbury-t.
Emocione të mëdha pati edhe në ndeshjen mes Everton-it dhe Sunderland-it. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, me Enzo Le Fee që kaloi në avantazh miqtë në minutën e 30-të. Everton reagoi vetëm në fund, kur James Garner barazoi nga pika e penalltisë në minutat e fundit të ndeshjes. As koha shtesë nuk solli ndryshim rezultati, duke e çuar sfidën drejt penalltive.
Nga pika e bardhë, Sunderland u tregua më i saktë dhe siguroi kualifikimin. Për Everton-in gabuan James Garner, Thierrno Barry dhe Beto, ndërsa për Sunderland realizuan Enzo Le Fee, Xhaka dhe O’Nien, me mesfushorin shqiptar që u shfaq i ftohtë dhe vendimtar në momentin kyç.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: